Bonusi i fundvitit për pensionistët nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë, skema me dy nivele
Rreth 721 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të marrin bonusin e fundvitit.
Qeveria ka vënë në dispozicion një shumë totale prej 9.4 miliardë lekësh, ekuivalente me 97 milionë euro, që përfshin shtesën prej 5.9 miliardë lekësh dhe fondin e planifikuar në buxhetin fillestar prej 3.5 miliardë lekësh.
Dy nivele bonusi sipas madhësisë së pensionit
Skema e këtij viti do të zbatohet në dy nivele. Më shumë se 511 mijë pensionistë, përfshirë ata të invaliditetit dhe të familjarët, me pensione mujore deri në 20 mijë lekë, do të marrin një bonus prej 15 mijë lekësh (rreth 150 euro). Për këtë kategori do të shpërndahen afro 76 milionë euro.
Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë, që marrin mbi 20 mijë lekë në muaj, do të përfitojnë një bonus prej 10 mijë lekësh (rreth 100 euro), me një buxhet total prej 21 milionë eurosh. Kjo ndarje synon t’u ofrojë më shumë mbështetje atyre me pensione më të ulëta.
Kategoritë që përfitojnë bonusin
Bonusi i fundvitit do të përfshijë të gjitha kategoritë e pensioneve: pensionet e pleqërisë, të kooperativave, sociale, të invalidëve të luftës, ato të caktuara me dekret apo nga sigurimet shoqërore, pensione suplementare, të familjeve të pilotëve, të oficerëve, minatorëve dhe punonjësve nën tokë, të ushtarakëve, akademikëve, personave me funksione kushtetuese, invalidëve dhe fëmijëve në përkujdesje shtetërore.
Skemat e mëparshme të shpërblimit
Edhe në dhjetor 2024, skema e bonusit u zbatua me të njëjtën ndarje – 15 mijë lekë për pensionet nën 20 mijë lekë dhe 10 mijë lekë për ato mbi këtë nivel. Ndërkohë, në pranverën e vitit 2025 u dha një bonus më i ulët: 10 mijë lekë për pensionet deri në 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë për pensionet mbi 20 mijë lekë.